Yuri Kim ka dalë sot përpara Komisionit për Politikën e Jashtme në Senatin amerikan ku ka folur për prioritet nëse emërohet ambasadore në Shqipëri.

Në deklaratën përpara senatorëve, Yuri Kim u fokusua në tre pika kryesore sa i përket objektivave të saj si ambasadore në Tiranë.

Fillimisht, tha Kim, do të inkurajoj Shqipërinë të vijojë me kursin e qëndrueshëm për të arritur në 2% të investimeve të mbrojtjes deri në vitin 2024, që kështu Shqipëria të jetë edhe më e fuqishme dhe e aftë si aleate.

Yuri Kim theksoi si pikë të dytë zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

“Së dyti, do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në terma të menjehërshëm, unë do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik në një mënyrë që përforcon kërkesën e pranimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh Kim.

Së treti, tha Kim, do të punoj për të promovuar eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri në mënyrë që të sigurohen mundësi për qytetarët e SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe të krijohen vende pune në të dyja shtetet.

Në hyrje të fjalimit të saj, kandidatja për ambasadore vlerësoi simpatinë dhe besnikërinë që shqiptarët kanë shfaqur ndaj SHBA-së.

“Shumë pak miq e kanë përqafuar më ngrohtë SHBA – sondazhe pas sondazhe tregojnë se mbështetja e shqiptarëve për SHBA-në mbetet më e larta në botë.

Shumë pak miq kanë qenë më besnikë – trupat shqiptarë kanë qenë në anën tonë në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe krahun lindor të NATO-s. Dhe pak partnerë janë kaq të gatshëm për të bërë më shumë me SHBA-në.

Ne kemi miq të fuqishëm dhe besnikë në Shqipëri, dhe është e domosdoshme që ne mbajmë pranë miq si Shqipëria, veçanërisht përballë sfidave strategjike ndaj interesave, vlerave dhe institucioneve të përbashkëta”, u shpreh Kim.

Kandidatja amerikane për ambasadore në Tiranë, deklaroi përpara senatorëve se problemi dhe rreziku më i madh për Shqipërinë nuk paraqitet nga Rusia, por nga Kina.

Gjatë seancës në Komisionin për Politikën e Jashtme, Kim theksoi se Kina përbën problem në Shqipëri për shkak të investimeve dhe komplikimeve politike që ato mund të sjellin.

Yuri Kim u pyet nga senatorët edhe për muxhahedinët që jetojnë në Shqipëri.

“Kemi punuar shumë afër me Qeveritë shqiptare, janë 3 mijë persona që jetojnë në periferi të kryeqytetit.

Synimi ynë numër një është që ata të jenë të sigurtë, por edhe të integrohen në Shqipëri, si dhe të jenë qytetarë produktivë”, tha kandidatja për ambasadore.