Partia Demokratike ka përgënjeshtruar një lajm të publikuar sot, ku pretendohej se kryetari Lulzim Basha ka blerë një vilë luksoze në një prej rezidencave në periferi të Tiranës. Sipas PD-së, ky është një dezinformim i qëllimshëm.

Në reagimin e PD-së theksohet se banesa e Bashës ka pësuar dëme nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin pak javë më parë, ndaj familja e tij po jeton në një banesë me qira, por pa specifikuar se ku. PD deklaron se banesa e përkohshme e kryetarit nuk ka asnjë lidhje me fotot e shpërndara nga disa portale.

“Në disa media është shpërndarë një dezinformim i qëllimshëm lidhur me banesën e kryetarit të PD Lulzim Basha. Pas disa dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, banesa e zotit Basha do të duhet t’i nënshtrohet disa punimeve të domosdoshme. Për këtë arsye zoti Basha dhe familja e tij janë zhvendosur përkohësisht në një banesë me qera, që nuk ka asnjë lidhje me fotot e rreme të shpërndara nga disa portale të kontrolluara nga qeveria. Banesa me qera e familjes së zotit Basha jo vetëm nuk ka pishinë, por është më e vogël sesa banesa e tij në rindertim. Gjithcka tjetër është trillim i sponsorizuar nga qeveria”, thuhet në reagimin e PD-së.

Foto e makinës së Bashës duke hyrë në këtë rezidencë u publikua gjithashtu në portale, si dhe foto të vilave të ngjashme me atë të cilën pretendohet se ka blerë kryeopozitari, por që hidhet poshtë nga selia blu.

Rezidenca ku pretendohet se ka blerë shtëpi Basha. PD e përgënjeshtron.