Tomsoni: Holandezi hero i shqiptarëve

Tomsoni: Holandezi hero i shqiptarëve

460
0
SHPËRNDAJE

FATOS BAXHAKU

Shqipëria e 1914-s ishte një vend i çuditshëm. Fanatizmi fetar, dasitë krahinore, mercenarizmi, mungesa e plotë e respektit për çdo lloj autoriteti shtetëror, lidhjet fisnore, bajraktarizmi, injoranca e thellë, babëzitë dhe zullumet e fqinjëve, me një fjalë gjithçka që mund t’i ndodhte një populli të pazhvilluar që lirohet pas një sundimi 500-vjeçar, ishin zotërit e vërtetë të vendit.

Koloneli Tompon arriti në Vlorë së bashku me një grup të madh ushtarakësh holandezë më 10 nëntor 1913. Kur pa për herë të parë Shqipërinë ishte tashmë 44 vjeç, me një okë karrierë mbi shpatulla. Kishte shërbyer që nga Afrika e Jugut në Indonezi e Indi, për disa kohë kishte qenë edhe deputet në Parlamentin e Hagës. Ushtarakët holandezë kishin mandatin e Fuqive të Mëdha si trupa mbrojtëse, organizatorë të ushtrisë se re shqiptare, edhe si fuqi mbrojtëse për Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit që vepronte asokohe në Shqipëri. Ishin si të thuash një lloj KFOR-i i atyre kohëve.

Rasti i parë, me të cilin Tompsoni u mor seriozisht ishte përpjekja e një grupi xhonturqish për të sjellë në Shqipëri një mbret turk për të themeluar kështu një shtet islamik. Në janar të 1914-s, një anije e linjës “Llojd”, solli nga Stambolli në Vlorë 427 “shqiptarë të riatdhesuar” që komandoheshin nga Beqir Grebeneja. Plani ishte që të uzurpohej qeveria e përkohshme dhe të sillej në fronin shqiptar një mareshal turk, Izet Pasha, që kishte lindur në një fshat shqiptar të Maqedonisë Jugperëndimore. Krerët e komplotit u arrestuan nga forcat e komanduara nga Tomsoni sapo arritën në tokë. Mirëpo, gjatë procesit gjyqësor Grebeneja pohoi se për komplotin kishte dhënë miratimin e tij edhe vetë Ismail Qemali. Askush deri më sot nuk ka provuar nëse ky pohim ka qenë i vërtetë apo jo, por fakti është se pas kësaj ngjarjeje Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e detyroi Ismail Qemalin të japë dorëheqjen dhe të largohet nga Shqipëria.

Në mars të 1914-s mbërrin në Durrës, asokohe kryeqytet i Shqipërisë Princi Vilhelm Vid. Holandezët, së bashku me ta dhe Tomsoni u vendosën në Durrës. Në qeverinë e Durrësit, ministër i Luftës ishte një nga figurat më të diskutuara në historinë moderne të Shqipërisë, Esat Pashë Toptani. Ky nisi sakaq të komplotojë kundër vetë qeverisë ku bënte pjesë. Më 19 maj tentoi madje një grusht shteti. Holandezët me urdhër të princit atëherë i bombarduan shtëpinë në Durrës dhe e arrestuan. Esati u detyrua të largohej përkohësisht nga Shqipëria. Largimi i tij e përshpejtoi kryengritjen e fshatarëve islamistë të Shqipërisë së Mesme, e cila njihet më shumë me emrin e Haxhi Qamilit. Kjo kryengritje do ta mbante Vidin dhe Durrësin të rrethuar për shumë muaj. Tomsoni u bë popullor edhe kur arrestoi tre arbëreshë, të cilët dyshoheshin se transmetonin mesazhe mors me kryengritësit. Kjo shkaktoi menjëherë reagimin e Aliott-it, përfaqësuesit italian në Durrës. Vetë Princ Vidi iu lut Tomsonit që t’i kërkonte ndjesë italianit. Përgjigjja e Tomsonit tashmë është e famshme. Duke u larguar në shenjë mospëlqimi ai thuhet të jetë shprehur: Për Mbretin jap jetën, por jo nderin tim! Disa ditë më vonë do të vritej në një nga betejat e shumta rreth Durrësit. Në të njëjtën ditë, më 15 qershor të 1914-s, në mbrojtje të Durrësit dhe ligjit, u vranë edhe major Kamber Sejdini nga Elbasani, dhe kosovari Ajdin bej Draga.

Më poshtë po citojmë tre prej dëshmitarëve të atyre ngjarjeve.

 

Eqrem bej Vlora

 

“… Matanë sheshit u ndamë: baronesha Godin nxitoi drejt spitalit të saj, kunati Ajet shkoi tek i vëllai, Myfit bej Libohova, unë me Vlafordin dhe njerëzit e mi, u ngjitëm te bateria jonë sipër lagunës. Prej aty hodhëm disa gjyle kuturu kundër një grupi rebelësh që po përgatiteshin të kapërcenin lagunën dhe i detyruam të tërhiqeshin. Atë çast një granatë plasi pranë topit tonë. Dhe, me sa dukej, ishte i njëjti top që ‘na e zuri bukën në grykë’ atë darkë te princi. Nga forca e goditjes topi ynë u përmbys duke plagosur kushëririn tim, Izet Vrionin, dhe disa njerëz të mi. Por kaq mjaftoi që të përhapej lajmi se ai ishte plagosur rëndë. I ati i tij, Galip Pasha, së bashku me të vëllain Omer Pashën, gruan e këtij të fundit dhe me nusen e të birit kishin banuar në një vilë prej nga ishin larguar atë mëngjes nga frika e predhave. Në Durrës ata kishin ardhur për të dëshmuar solidaritetin e tyre me princin.

Sulmet e rebelëve nuk pushuan tërë mëngjesin, por megjithatë ata nuk mundën të kapërcejnë kanalin dhe lagunën. Gjatë këtyre luftimeve ranë koloneli holandez, Tomson, majori shqiptar, Kamber Sejdini, prijësi kosovar, Ajdin bej Draga, dhe mbrojtës të tjerë të qytetit… Gjatë një pushimi mes dy luftimeve unë dola të shoh se ç’bëhet me bateritë tona të tjera. U ngjita me njerëzit e mi në kodrën e kullës së vjetër, prej nga kisha parë dikur edhe arrestimin e Esat Pashës dhe aty gjeta gjeneralin holandez de Ver, së bashku me disa xhandarë dhe dy topa. Ai dukej i dërrmuar nga vdekja e kolonelit Tomson…”.

 

Heaton-Armstrong, sekretari personal i Princ Vidit

 

“… I lashë këta xhandarë heroikë, të cilët kishin filluar  që tani të qëllonin në ajër për të mbajtur kurajën lart, dhe vazhdova; pas pak minutash arrita në ekstremin e majtë të pozicionit kryesor të kodrës ku disa malësorë po gjuanin pa ndërprerje në drejtim të armikut, megjithëse unë vetë besoj se ata nuk shinin asgjë për të marrë shenjë. Unë nuk shihja asgjë për vete dhe zjarri ynë nuk merrte asnjë përgjigje. Malësorët me thanë se po u mbaroheshin municionet. Kështu, pasi kisha parë mjaft më kënaqte fakti që në këtë pjesë nuk kishte ndonjë rrezik imediat, mora rrugën drejt shtëpisë në mënyrë që të dërgoheshin municionet nga magazina në qytet. Rrugës takova mjekun holandez dhe baroneshën Godin, të cilët kishin ardhur të kujdeseshin për të plagosurit; prej tyre mësova për herë të parë për vdekjen e kolonel Tomsonit.

Ai ishte goditur në venën jugulare në grykë vetëm disa minuta pas largimit tim dhe kishte vdekur pothuajse menjëherë. Megjithëse ai ishte shumë popullor te vendasit askush nuk kishte bërë ndonjë përpjekje për t’i vajtur në ndihmë kur ishte rrëzuar. Majori Roelfsema dhe zoti Artur Moore i gazetës “The Times” kishin vrapuar mes plumbave dhe e kishin tërhequr deri te vendi i mbuluar. (Moore ishte rekomanduar për dekorime shqiptare dhe holandeze për këtë akt gallant).

Roelfsema ishte tani Oficeri i Lartë Holandez në Durrës dhe kishte marrë komandën. Pas vizitës te depot për t’u dërguar municion malësorëve, u ktheva në pallat për të raportuar. Mbreti nuk e kishte marrë vesh vdekjen e kolonelit Tomson dhe lajmi ishte një goditje e fortë për të, pasi kishte besim të madh në besnikërinë dhe aftësinë e tij…”.

 

Kapiteni holandez, Fabius

 

“…Njerëzit që përdornin topat u shqetësuan. Unë arrita t’i mbaja ata në vendin e tyre dhe i bëra të fillonin të gjuanin me zjarr të shpejtë. Kisha qëndruar mes dy topave dhe papritmas pashë që sulmuesit u ngritën për një sulm të vrullshëm, por gjuajtjet e mia godisnin në distancën prej shtatëqind metrash.

Sulmi u ndërpre. Në të njëjtin çast erdhi tek unë një shqiptar, i cili fliste anglisht: ‘Koloneli është plagosur’. Unë nuk doja ta besoja, por një çast më vonë ai erdhi përsëri dhe tha: ‘Koloneli vdiq’. Unë nuk mund ta besoja, por ndërkohë pashë doktor Reddingius dhe majorin Roelfsema që po vinin në drejtimin tim. Ata dukeshin shumë të trishtuar dhe pata menjëherë frikë se më e keqja kishte ndodhur. ‘Është e vërtetë?’, pyeta unë me të shpejtë. ‘Po – u përgjigj Reddingius – ai u vra’.

Koloneli kishte qëndruar para magazinës së karburantit, domethënë në anën e gabuar, të pambrojtur nga plumbat dhe kishte qenë duke folur me majorin Roelfsema. Ai donte të shkonte atë çast te disa bajraktarë që t’i bindte ata t’i hidhnin në sulm trupat e tyre, kur papritmas i tha majorit Roelfsema: ‘Unë jam plagosur, më largo që këtu’. Atëherë u duk që nën breshërinë e plumbave, asnjë nga shqiptarët nuk guxonte t’i vinte pranë për ta ndihmuar, por njëri prej tyre kishte shkuar te doktor Reddings me të shpejtë, i cili nuk ishte shumë larg, duke u kujdesur për të plagosurit. Vetëm korrespondenti i ‘Times”, Moore, i cili shumë i qetë, po thithte çibukun mes plumbave, erdhi drejt e te majori Roelfsema, dhe, së bashku e ndihmuan kolonelin për ta çuar në vendroje. Doktor Reddingius i kishte bërë edhe një injeksion kamfor, por ishte tepër vonë… Atëherë unë shkova drejt e në ndërtesën ku dergjej trupi i kolonelit, në një vig fushor. Ende nuk na ishte dhënë mundësia për ta çuar trupin e tij në qytet. Kjo do të bëhej e mundur sa të errësohej. Ai ishte i shtrirë atje, me uniformë ushtarake, shumë i qetë dhe me pamje paqësore. Doktor Reddingius i kishte vendosur duart kryq mbi gjoksin e tij… Ditën tjetër e varrosëm. I gjithë populli i Durrësit ishte i pranishëm ashtu si edhe përfaqësuesit e të gjitha shteteve dhe Fuqive të Mëdha nga Europa. Aleotti ecte vetëm, kolegët e tij i shmangeshin. Komandanti i anijes luftarake angleze ‘Defence’ i kishte kërkuar kapedanit të tij të mbante shërbesën e varrimit dhe ndërsa disa vullnetarë shkrepën armët në ajër në shenjë nderimi, atje, larg atdheut, u varros majori Tomson, ndërkohë që lexohej burial service angleze…”.

Ditë ma pas holandezët e bombarduan keq shtëpinë ku mendohej se ishte strehuar vrasësi i Tompsonit, i cili mbeti i vrarë nën rrënoja. Pushka që qëlloi mbi kolonelin holandez, një “Mauser” i vjetër, mbeti një nga të paktat relike që Princ Vidi mori me vete kur u detyrua të largohej nga Durrësi vetëm dy muaj e gjysmë pas kësaj ngjarjeje.

 

(Për këtë shkrim u përdorën materiale nga J.Fabius, Gjashtë muaj në Shqipëri, Skanderbeg Books, Tiranë 2005; D. Heaton-Armstrong, Gjashtë muaj mbretëri, ISHSN, Tiranë 2001; Skënder Luarasi, Tri jetë, Migjeni, Tiranë 2007, Ferdinando Saleo, Shqipëria gjashtë muaj mbretëri, SHLK, Tiranë 2002; Eqrem bej Vlora, Kujtime, Vëllimi II, SHLK, Tiranë 2001).

/gazeta-shqip.com/