8 Dhjetor 1990, Lëvizja historike e studentëve shqiptarë

8 Dhjetor 1990, Lëvizja historike e studentëve shqiptarë

610
0
SHPËRNDAJE

SAMI REPISHTI

“I mjerë ashtë ai vend që ka nevojë për heronj”. (Bertolt Brecht)

“I mjerë ashtë ai popull që ka nevojë për revolucione”. (Timothy G.Ash)

Hyrje

Njizetë e pesë vjet ma parë, nji e papritun e madhe u mirëprit me entuziazëm nga shqiptarët. Studentët e Universitetit të Tiranës (brezëni e indoktrinueme për 45 vjet me radhë nga propaganda e PKSH/PPSH) u revoltuen dhe konfirmuen traditën revolucionare të brezënive të maparëshme.

Ata shqiptuen fjalët magjike dhe vendimtare: “Liri! Demokraci! E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, që do të mbeten të skalituna në histori, ashtu si parullat “luftë kundër okupatorit” (1939-45) e “rroftë Shqipëria e lirë e demokratike” (1945-1990). E kaluemja komuniste 45-vjeçare u shkelmue si reaksionare e antipopullore.

Qielli i muzgët i Shqipërisë kërkonte dritë – e drita erdhi falë guximit të studentëve tanë. Të revoltuem, e me kërkesën e së resë që frymëzon e premton njikohësisht, ata formuluen “të ardhmen” me nji shprehje lapidare në përmbajtje, dhe estetike në formën e saj. “Liri! Demokraci!” përfaqsojshin dy themelet e shoqënisë së lirë dhe shtetit demokratik; “Europa” përcaktoi rrugën që duhej ndjekë, formën konkrete të ndërtesës së re që duhej ngritë.

Shtatëdhjetë vjet ma parë, thirrja “Bukë e paqe edhe liri” mobilizoi miljonët, e prindët e breznisë së re.

Sot, “Liri! Demokraci” ishte thirrja e kohës sonë! Kërkohet Europa!

***

Në procesin e shpërbamjes së imperatorisë sovjetike, Shqipëria ka qenë “dominoja” e fundit. Në të gjitha vendet e Europës Lindore zhvillimi i lëvizjes për liri dhe demokraci filloi të ndihet që në ditët e para të pushtimit ushtarak të atyne vendeve. Fryma e lirisë dhe dëshira për demokraci parlamentare u plotësuen, në përgjithësi, paqësisht, me tolerancë dhe mirëkuptim (me përjashtim të Rumanisë).

Zhvillimi i tyne u thellue sidomos në Aktin Final të Helsinki-t (1975) dhe rritjes së mundësisë për monitorimin e shkeljeve të të drejtave dhe lirive të njeriut brenda kampit sovjetik.

Europa Lindore kishte përjetue ditë të vështira sidomos gjatë viteve të mbas L2B dhe të regjimit të diktatorit sovjetik J.V.Stalin (1945-1953) dhe periodikisht edhe invazione ushtarake sovjetike në Berlin e Wroclaw (1953), në Hungari (1956) dhe në Çekosllovaki (1968), nga forcat e Traktatit të Varshavës. Kambëngulja për respektim të lirisë dhe dinjitetit të qytetarit u ba anmiku numër nji i tiranisë!

Çdo ndërhymje ushtarake sovjetike bashkë me shtypjen pruni edhe forcimin e frymës të rezistencës, ndërgjegjësimin e popullsisë për gjendjen e krijueme dhe nevojën me u organizue, në forma qytetare për shpëtimin e nderit dhe dinjitetit të kombit “të robnuem”.

Me rastin e parë, këto organizata fillestare – sidomos në mesin e institutive fetare – morën jetë, fituen mirëbesimin e popullsisë, grupeve intelektuale dhe qendrave punëtore, dhe paralelisht edhe autoritetin e nevojshëm me folë, me shkrue dhe me drejtue opinionin publik ma parë, e veprimtarinë në politikë ma vonë. Kjo mundësi u krijue me ardhjen në fuqi të Sekretarit të Përgjithshëm të PK të BS, M.S.Gorbachev., udhëheqës dinamik “me nji dimension njerëzor” (Ronald Reagan), i vendosun “me çlirue” BS nga pesha e okupacionit të territoreve të Europës Lindore.

Pa kërcënimin ushtarak sovjetik, çlirimi i vendeve të E.L. u ba i mundun. Ish-strukturat fillestare të rezistencës u ringjallën, morën iniciativën, drejtuen masat e gjana që kërkojshin liri e në veprim kolektiv marshuen drejt emancipimit social nga komunizmi dhe çlirimit kombëtar nga pushtuesi i huej. (Në rastin gjerman edhe bashkimit kombëtar të dy Gjermanive, 8 nandor 1989). Polonia, Gjermania Lindore, Çekosllovakia dhe Hungaria triumfuen në përpjekjet e tyne.

Mbeteshin Bullgaria, Rumania, Shqipëria staliniste dhe vendet baltike.

Bullgaria, e lidhun ngushtë me Moskën, historikisht u “çlirue” me “këshilla” nga Moska, dhe me vendime të marruna nga Byroja Politike e Partisë Komunist Bullgare. Rumania që mbante nji distancë nga Moska veproi kokë më vete, e përfundoi me revolucion që i kushtoi jetën çiftit Ceausescu.

Që nga viti 1945, Europa ishte e ndame në dy kampe kundërshtare: Perëndim dhe Lindje. Në Europën Perëndimore u ndje nevoja e organizimit dhe bashkëpunimit për mbrojtje nga mundësia e nji sulmi sovjetik, nji kërcënim i përherëshëm, sidomos deri me vdekjen e J.V.Stalinit, 1953. Kështu filloi rruga e Bashkimit Europian, u formulue strategjia e infrastrukturës ekonomike dhe e formimit të aleancës ushtarake të NATO-s (1949).

U formuen shoqata për mbrojtjen e individit të lirë kryesisht nga “Shteti”. Karta e OKB-së u nënshkrue me sigurue “paqen”. Deklarata Universale (1948), Akti Final i Helsinki-t (1975), Konventa e Kopenhagen dhe Karta e Parisit (1980) kodifikuen mendimet ma të avancueme për mbrojtjen e qytetarit të lirë, “…krijesë e lindun e barabartë në liri dhe në dinjitet, e paisun me arsye dhe me ndërgjegje, dhe në marrëdhanjet me të tjerët e ushqyeme me frymën e vëllaznimit”.

Krahas këtij organizimi të ri europian qëndronte edhe potenciali politik, ekonomik e ushtarak i SHBA-së si anëtare e plotfuqishme.

Në Europën Lindore (E.L.) të pushtueme ushtarakisht më 1945, nga divizionet e ish-Bashkimit Sovjetik që ushtronte presion policor, lindi reagimi i natyrshëm: rezistenca, që solli ndryshimin.

Në 1990, Presidenti çek, Vaclav Havel, përmblodhi “Zeitgeist”-in e E.L. mbas 45 viteve me këto fjalë: “Popull, qeveria e juej u kthye përsëri tek ju!”. Nji “revolucion demokratik” në E.L., nevojë ekzistenciale, u konceptue nga mendje paqësore, u zhvillue në mënyrë paqësore (me përjashtim të ndërhymjeve sovjetike) dhe u përfundue triumfalisht pa dhunë, pa gjak ashtu si e dëshirojshin të gjithë, kryeaktorët dhe aktivistët. Bota mbar duertrokiti!

Konteksti ndërkombëtar. – Me L2B Europa hyni në nji fazë të vështirë të historisë saj. Brenda nji viti, Europa u okupue nga nazistët gjermanë. Polonia u nda në mes të Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, nji situatë që zgjati deri më 9 maj 1945, dita e fitores së Koalicionit Anglo-Sovjeto-Amerikan. Gjatë luftës u mobilizuen 70 miljonë persona, u vranë 22 miljonë dhe u plagosën 27 miljonë të tjerë. Damet materiale janë të pallogaritëshme! Ky ka qenë çmimi i botës së re që lindi nga lufta. Vendet e Europës Lindore ranë nën dominimin sovjetik, i cili krijoi nji zonë të re.

“Nga Danzig deri në Trieste, nji perde e hekurt ra mbi Europë” (W.Churchill). Zona e njohun si “Europa Lindore” iu nënshtrue nji regjimi të ashpër sovjetik, u organizue në nji kamp ushtarak. “Traktati i Varshavës” u formue si nji bllok ekonomik ndërvarës me në krye ish-Bashkimin Sovjetik. Deri në vitin 1968, edhe Shqipëria ishte pjesë e këtij konglomeracioni të imponuem.

Disa shtete të E.L. – kryesisht Polonia, Gjermania Lindore, Çekosllovakia dhe Hungaria – kanë qenë vende të banueme nga popullsi të arsimueme, me sisteme politike dhe shoqëni demokratike të lidhuna ngushtë me Europën. Ndamja e forcueme mori karakter shtypës e kolonialist. Reagimi i popullsisë mori forma kryengritëse, si në Berlinin lindor dhe Wroclaw të Polonisë (1953), Hungari (1956) dhe Çekosllovaki (1968) lëvizje të shtypuna nga ish-ushtria sovjetike.

Pushtimi sovjetik nxiti kryenaltësinë kombëtare. Kërkohej me kambëngulje nji “ndryshim”. Populli i heshtun për vite të gjata ngriti zanin, e qartësisht priste rastin e parë me ngritë edhe grushtin. Duhej pritë rasti i volitshëm, sepse prania e divizioneve sovjetike, pengesa kryesore, mbetej nji kërcënim i përhershëm. Masakrat e Berlinit dhe të Wroclavit, shtypja e revoltave hungareze dhe çeke ishin të freskëta në kujtesën e popullsisë që ziente nga nevoja e mbrendshme me shpërthye.

Dy ngjarje me randësi primare transformuen atmosferën e frikës në nji frymë premtuese ku lindi shpresa:

E para, vizita e Papës Gjon Pali II në Poloni, 1979, tregoi sa afër ishin polakët njeni me tjetrin; sa i fortë ishte vëllaznimi në mes tyne, dhe sa i madh ishte potenciali i Kishës Katolike në Poloni. Vizita mbushi polakët me guxim për veprim.

E dyta, dalja në skenë e ish-Presidentit Mikail S. Gorbachev në BRSS, dhe “doktrina” e tij për mos-ndërhymje ushtarake në grindjet e mbrendshme të anëtarëve të Traktatit të Varshavës. Në fakt, ai nxiti lëvizjet për pavarësi ma të madhe. “There is a human dimension in Gorbachev”, deklaroi Presidenti i SHBA-së, R. Reagan, mbas nji takimi.

Në këtë situatë, çdo njeni ishte gati me sulmue Bastille-n e tij. “Tani ashtë koha!” u ba parulla kryesore. Gazetarët filluen me shkrue të vërtetën, punëtorët gati me ba grevë; intelektualët gjetën zanin e tyne dhe Europa Perëndimore ishte aty me tregue përparimet e arrituna.

Kërkohej matuni: lëvizje masive pa dhunë, pa provokime dhe forume demokratike për diskutime të lira, si dhe përgatitjen e terrenit për nji “tranzicion” që duhej arritë me “dialog”, e mundësisht pa ndërpremje të dhimbëshme të jetës ekonomike. “Ndjenjat popullore ishin të atilla, dhe erërat e jashtëme aq të favorshme, saqë gjithçka përfundoi mirë!”, shkroi historiani i Oxfordi-t, Profesor Timothy G.Ash***

Poloni. – Nji vit mbas vizitës papënore, u krijue lëvizja “Solidarnost” në Poloni (1980), e para lëvizje punëtore e pavarun në botën komuniste. Grevat u përhapën. Qeveria u detyrue me negociue.

Ishte fitorja e parë, e madhe antikomuniste. Solidarnost mori ngjyrë politike: “S’ka liri pa Solidarnost!”, u ba fjala e ditës. Udhëheqësi Lek Walesa, bashkë me nji grup intelektualësh e klerikësh, formoi “Komitetin e Qytetarëve”. Ata nuk fituen pushtetin, por kapitalin moral që mbajti të gjallë rezistencën.

Mbas grevave të vitit 1988, në prill 1999, Solidarnost mori pjesë në zgjedhjet e para të lira. Filozofi Adam Mishnick parashikoi: “Këto zgjedhje do të jenë fundi i sistemit shtetnor totalitar!”.

Në shkurt 1989, u ba regjistrimi zyrtar i Solidarnost që hapi rrugën për “Bisedimet e Tryezës së Rrumbullaktë”, më 5 prill. Ishte hymja në rrugën e demokracisë parlamentare dhe i ndërtimit të nji Polonie të pavarun e sovrane. Vitet e pushtimit sovjetik të E.L. ishin tashmë të numrueme. Zgjedhjet e 4 qershorit 1989, përfunduen me triumfin e Solidarnost. Festivale të improvizueme popullore.

Kërkesa e parë: kontroll mbi TV shtetnor. Triumfi u konsolidue me njohjen e “fitores” së Solidarnost nga Qeveria komuniste, megjithëse ushtria, policia, Partia, administrata mbetën në duert komuniste. Si kundërpeshë, Solidarnost fitoi përkrahjen e plotë të udhëheqjes së Kishës Katolike. Dy ditë mbas zgjedhjeve diktatori Jaruzelski pranoi: “Ashtë hera e parë që votueset ishin në gjendje me zgjedhë lirisht… Kjo liri u përdorue me çregjistrue të gjithë ata që kanë qenë në pushtet deri tashti”.

Ai premtoi “vazhdimësinë” dhe siguroi se BRSS nuk do të ndërhyjë – konditë vendimtare. Për këtë roli i Jaruzelski-t ishte i domosdoshëm dhe ai u rizgjodh “president”, si pjesë e nji kompromisi politik. Në gusht 1989, katoliku Mazowicki, i afërm me Papën Gjon Pali II, u ba kryeministër. Titulli “popullor” u hoq nga “Republika e Polonisë”. Shumica e administratës qendrore mbeti aty ku ishte, por punoi me ndershmëni dhe e gatishme me shërbye “padronët” e rij.

Gjermania Lindore

Mbas kryengritjes gjermane që u shtyp me gjak, 17 qershor 1953, BRSS i frikësuem nga influenca e fortë perëndimore në Berlin, vendosi ngritjen e nji muri të naltë, që ndau kryeqytetin gjerman në dy pjesë: perëndimore dhe lindore. Për katër dekada, pjesa lindore i u nënshtrue nji regjimi të ashpër policor, dhe indoktrinimit komunist. “Muri i Berlinit” u ba simboli i okupacionit sovjetik dhe i ndamjes nga Europa, nji situatë që nuk u pranue nga popullsia vendëse. Mijëra të rinj e të reja gjermanë ranë viktimë në përpjekjet e tyne për arratisje.

Edhe në Gjermaninë Lindore, “efekti Gorbachev” ka luejt nji rol kryesor, me qenë se kushtet vareshin shumë nga ish-B.S. (“Republika Demokratike Gjermane ashtë e lidhun përjetë dhe në mënyrë të pazgjidhëshme me BRSS”, shkruente ish-Kushtetuta gjermane e vitit 1974). Në festimet e 40-vjetorit të RDGJ, 7 tetor 1989, çfaqjet antishtet në popullsi u banë nji kërcenim për rendin publik.

Opinioni i përgjithshëm ishte se Gorbachevi vetë ka ndihmue në mbajtjen e kësaj fryme, me deklaratën e kalkulueme: (”Vetë historia ndëshkon ata që vonohen”. Zane të pakonfirmueme qarkulluen se ai i ka transmetue presidentit E.Honnecker: ”Trupat sovjetike nuk do të ndërhyjnë për shtypjen e lëvizjeve të mbrendshme”, si dhe për inkurajim të elementit revizionist (Krentz dhe Schvabowski) “… me largue nga pushteti presidentin (fanatik) E.Honnecker” (Th.G.Ash).

Në këtë moment, Honnecker hapi kufijtë me Austrinë. Populli filloi arratisjen drejt Perëndimit, faktori kryesor i rrokullisjes së ngjarjeve në Gjermaninë Lindore deri në përmbysjen e regjimit e të bashkimit kombëtar gjerman. Aktiviteti antiqeveritar u rrit gjatë verës, 1989, dhe gjeti përkrahjen e dy kishave: katolike dhe protestane. Protestat popullore arritën kulmin, sidomos mbas vizitës së Gorbachevit në Berlin, më 8 tetor 1989. Vetëm nji ditë ma vonë, 9 tetor, “Muri i Berlinit” ra!

Që në shtator 1989, lutjet e mbramjes në kishat filluen të transformohen në manifestime popullore kundër regjimit. Më 25 shtator, manifestimet numrojshin 15-20.000 persona. Manifestuesit këndojshin Internacionalen dhe kërkojshin njohjen zyrtare të “Forumit të Ri” që u krijue, dhe u ba epiqendra e lëvizjes demokratike. Qeveria u përgjegj me kërcënime. Demonstratat u rriten në 70.000 persona. Ministri i Mbrendshëm, Kreutz, kërkoi nga demonstrueset të protestojshin paqësisht, dhe vendosi mos me përdorue forcën.

Ky qëndrim evitoi katastrofën dhe siguroi fitoren e demonstruesve. Krentz fitoi prestigj. Nandë ditë ma vonë, Presidenti E.Honnecker dha dorëheqjen. Frika kishte vdekë! Lëvizja u rrit. Tashti protestat numrojshin ma shumë se 100.000 pjesëmarrës. Lutjet e mbramjes u banë demonstrata. Gjermania Lindore ishte në proces të lindjes si nji shtet i ri “Liri! Liri udhëtimi!” ishin parullat kryesore. E gjithë qeveria dha dorëheqje. Demonstrueset thrrisnin: ”Na jemi populli!”, e udhëheqja hapi dyert për udhëtim lirisht.

Pa pritë, ata u gjetën para dilemës: “A duhet të mbijetojë Gjermania Lindore?” Me largimin e shtypjes policore, pa frikën e ndërhymjes ushtarake sovjetike, gjithçka shpërtheu! Populli gjermano-lindor zbuloi solidaritetitn që sjellte çlirimi. Thirrjet “rroftë Revolucioni i Tetorit 1989” mbushën rrugët. “Ishte revolucioni i parë paqësor në historinë gjermane!”, (Th.G.Ash). Shtypi ndërkombëtar raportoi se në “week”-endin e 12 nandorit 1989, afër dy miljonë gjermane kaluen zonën e Murit për vizitë në Berlinin perëndimor, manifestimi ma i madh popullor në rrugë në historinë e botës.

Në fushën politike u theksuen dy kërkesa: zgjedhje të lira, dhe fund rolit udhëheqës të Partisë. Thirrjet:“Bashkatdhetarët e RF Gjermane nuk janë të huej; janë vëllaznit tonë!”,”Socializmi premton por gënjen!” “Gjermania ashtë nji atdhe, e gjermanët janë nji komb”, ”Për sa kohë që jemi të ndamë, nuk jemi nji komb!” shoqënoheshin nga thirrjet e popullit; ”Na jemi nji popull! Gjermani, Gjermani!” … Megjithatë, kur erdhi momenti i “bashkimit”, shumica dërmuese qëndroi në vend me ndihmue ndërtimin e atdheut të shkretnuem. Qytetari e naltë! Patriotizëm i pastër!

Mijëra tryeza të rrumbullakta kërkuen ndryshimin e plotë. Ata fituen “autoritetin” me besimin e popullit. Anëtarsia e Partisë u shkri si kripa në ujë.“Bashkimi  gjerman” u përjetësue nga populli i thjeshtë, sepse ishin ata që e deshën, ata që fituen të drejtën me folë e me lëvizë lirisht. Ishte momenti i emancipimit social nga diktatura dhe i çlirimit kombëtar nga i hueji. Nji  dëshmitar shkruente: “Këto janë momente, kur njeriu ndien krahët e engjëllit që të mbështjellë!”.

Hungaria

Ndryshimet politike në Hungari kanë nji moment katalizator: rivarrosjen e ish-Kryeministrit kryengritës, Imre Nagy, ekzekutue më 16 qershor 1958, nga sovjetët, mbas shtypjes së revolucionit të 1956-s.

Kujtesa e atyne ditëve revolucionare nuk u zbeh asnjiherë, ashtu si edhe ndjenja e represionit të gjatë. Ne pranverë të vitit 1988, të afërmit dhe miqtë që mbijetuen, krijuen “Komitetin për Drejtësi Historike”. Udhëheqja qeveritare kuptoi se ishte imperative me rihabilitue këtë viktimë, “emni i të cilit i çveshte të gjithë nga kredibiliteti në popullsi”.

Në janar 1989, qeveria vendosi çvarrosjen, identifikimin, dhe rivarrosjen me dinjitet të kufomës. Nji komision qeveritar u formue me rivlerësue ngjarjet e 40 viteve të fundit dhe me paraqite ngjarjet e vitit 1956, jo si “kundër-revolucionare”, por si “kryengritje popullore”, kundër klasës sunduese që kishte damkosë popullin.

Gjatë shumë viteve të regjimit komunist, Hungaria ka lejue “partitë politike” me funksionue nën kontrollin e Partisë (sic!). Me rivarrosjen, këto parti u bashkuen me organizatorët ne nji ceremoni që mund të kthehej në “ringjallje politike”: ajo që biente në sy ishte kambëngulja e organizatoreve për “qetësi e dinjitet” e ”pa shpërdorim politik!”.

Funerali i Imre Nagy-t u kthye në nji valë zemrimi antiqeveritare, dhe si fillimi i nji veprimtarie ma të organizueme. Parulla kryesore ishte: ”Programi i jonë ashtë me ndryshue sistemin, jo me e riformue!”, si dhe “Hungaria duhet të dalë jashtë Paktit të Varshavës!” Akte të këtilla u mundesuen nga “tërheqja” e qeverisë para presionit të ngjarjeve, jashtë dhe mbrenda vendit. Që nga viti 1988, politika e “Partisë” ka qenë e pasigurt; e tronditun, në fund të vitit, “Partia” lejoi krijimin e grupeve të vërteta opozitare dhe të drejtën për demonstrata.

Në janar 1989, grupet opozitare fituen garancinë ligjore për mbledhje dhe shoqënim të lirë. Nji muej ma vonë, qeveria deklaroi, në parim, mbështetjen e saj për tranzicion në nji sistem shumëpartiak. Që në prill 1988, “Partia” hodhi parimin Leninist “centralizëm demokratik”, me shpresë se mund të kthehej mbrapa në pozitat “liberale” të viteve 1948, dhe 1956.  Hija e Kardinalit Mindzenty, figurë qendrore e rezistencës antikomuniste para vitit 1956, ndiehet kudo.

Në qershor 1989, dita e rivarrosjes se Imre Nagy-t hiqet ylli partizan nga flamuri kombëtar. Pjesëmarrësit mbajnë flamuj te zezë. Janë pesë arkivole: I.Nagy dhe katër bashkëpunëtorë. Nji arkivol nuk ka emën. Emnohet: “Kryengritësi i Panjohun!”. Muzika  funebre, lule, delegacione, autoritet kishtare, diplomate, por jo anëtarë të “Partisë”.

Ndigjohet nji fjalim i rregjistruem i Nagy-t ku ai ban thirrje: “…për nji tolerancë të ndërsjellë dhe zemërgjanësi kundrejt atyne që mendojnë ose veprojnë ndryshe nga ne, sepse vetëm kështu do të kemi mundësi…me sigurue tranzicionin paqësor në nji shoqëni europiane moderne, të lirë e demokratike”.

Mandej, 200.000 pjesëmarrës këndojnë vargjet e poetit Shandor Petoef (1848): “Kurrë s’do të jemi skllavë përsëri! Kurrë s’do të jemi skllavë përsëri!” Rivarrosja u ba pikërisht në vendin e ekzekutimit. Çdo fjalë e gjest kishte kuptimin simbolik! Shembull i naltë qytetnimi!

Ky mesazh u drejtohej hungarezëve, që përballeshin me okupacionin sovjetik, me kambënguljen e Partisë Komuniste me ruejtë pushtetin, dhe me nji shoqëni të lodhun nga vuejtjet…! E gjithë ceremonia u transmetue nga TV qeveritare.

Tri javë ma vonë, Gjykata Supreme rihabilitoi Imre Nagy-n.  Ashtu si zgjedhjet e lira në Poloni, funerali i tij ka qenë nji datë e randësishme në Europën e mbasluftës. Më 14 shtator 1989, u arrit “Marrëveshja” për zgjedhjet e lira parlamentare. Partia e Punonjësve Hungarezë u shpërnda. Lindi Partia Socialiste hungareze.ungareze. Pese dite ma vone, deklarohet “Republika e Hungarise” e motivueme nga mesimet historike te kryengritjes dhe levizjeve kombetare per pavaresi te tetorit 1956.

Çekosllovakia

Me keto zhvillime, Hungaria siguroi nji system shume partiak para se te deklarohej demokracia, ndersa shpejtesia e ndryshimeve u ba e detyrueshme nga keqesimi i shpejte i gjendjes ekonomike.Çekosllovakia.-Ndryshimet politike në Çekosllovaki u zhvilluen me shpejtësi të madhe dhe u karakterizuen nga nji improvizim dhe frymë optimiste, lëvizje e drejtueme nga shkrimtari Vaclav Havel, figurë qendrore.

Më 23 nandor 1989, fill mbas ramjes së Murit të Berlinit, krijohet në Pragë koalicioni kryesor “Forumi Civik”, që u ba menjiherë shtabi i koordinimit të lëvizjes për demokraci. Kjo lëvizje filloi me studentët, grupe të vogla aktivistësh që vepruen për afër nji vit me metoda studenteske: trakte, revista, diskutime e klube të rinjsh.

Ata mbajtën kontakt me elitën opozitare dhe shpërndanë letërsinë e ndalueme (samizdat). Si pjesëtarë të grupeve rinore u lejuen me u organizue e me demonstrue në përkujtim të përvjetorit të viktimave të masakrës naziste të studentëve, si dhe të rinjve të ramë në 1918, 1948, 1968 përsëritje e respektit për traditën.

Por në qendër të qytetit, Sheshi Veceslav, u ndaluen nga policët. Filluen thirrjet: “Liri! Liri!” dhe u këndue himni :”Ne do të fitojmë!”, (himn fetar i zezakëve të Amerikës). Studentët vuen lule në grykën e pushkëve të policëve, e tue ngritë duert nalt përsëritshin:” Nuk kemi armë!”. Por, Policia i rrahu, tue përfshi edhe gratë e fëmijtë që u dërguen në spital.

Dhuna qeveritare ka qenë shkëndija që ndezi zjarrin në Çekosllovaki! U fol se ka të vdekun. Studentët deklaruen grevë. Populli pushoi punën për dy orë në drekë. Thirrjet ishin:” Mos pritni! Veproni! ”Gjaku i studenteve ishte derdhë. Kërkohet legalizimi i shtypit klandestin dhe heqja e rolit udhëheqës e Partisë.

Në këtë moment, ish-nënshkruesit e “Charter 77”, grup opozitar, dhe grupet tjera opozitare takohen në Teatrin e Pragës. Grupe e klube të “Forumit Civik” formohen kudo dhe kërkojnë dorëheqjen e përgjegjësve të masakrës, dhe ata të okupimit sovjetik të vitit 1968 – tue fillue me Presidentin Husak, sekretarin e Partisë Jakesh, ministrin e Mbrendshëm e të tjerë, hetime për masakrat, dhe lirimin e të gjithë të burgosunëve politikë. “Forumi” mori përsipër udhëheqjen e Lëvizjes.

Në rrugët e sheshet, populli proteston me parullat: “Jepni dorëheqjen! Tani ashtë koha!”. Kësaj rradhe policia e milicia speciale nuk guxuen me ndërhye. Kryeministri deklaroi se nuk do të ketë gjendje të jashtëzakonshme. Nji ditë ma vonë, dy klerikë katolikë, së bashku me V.Havel, përsëritën kërkesën e “Forumit” para demonstruesve.

Presioni popullor rritet çdo ditë. Frika ka humbë peshën e vet. Qeveria kërkon bisedime me “Forumin”. Marrin pjesë ekonomistë sepse ekonomia ashtë shumë me randësi për popullsinë. Formohen komisione: organizim, teknikë, informim e konceptim. Populli ndien erën e lirisë e entuziazmohet.

Dilema e zakonshme çfaqet me urgjencë: imperativi politik për aksion të shpejtë kundrejt imperativit të demokracisë së mbrendshme. V.Havel ashtë arbitër i pazëvendësueshëm. Hymja në TV siguroi përkrahje ma të madhe edhe nga jashtë.

Ndërkaq, prezenca e Gorbachev-it mbrapa qeverisë, ashtë e qartë. Sovjetët presin nji delegacion të “Forumit Civik”. Gorbachev udhëzon Kryeministrin (mbas takimit me Presidentin Bush në Malta, nandor 1989) me dënue invazionin sovjetik të vitit 1968, dhe pa tjetër ndryshime në qeveri.

Në TV opozita reklamon:” Bota ju sheh ju sot!” TV ndërkombëtare dhe mjetet e informimit hetojnë, informojnë, dhe nuk lejojnë rrahjet e keqtrajtimet. Frika ka vdekë! Në këtë moment vendimtar vjen mesazhi i Kardinalit Tomashek: “Kisha Katolike qëndron plotësisht me ju, në anën e popullit, në këtë përpjekje.

Unë falënderoj të gjithë ata që luftojnë për të mirën e të gjithëve, dhe kam besim të plotë në Forumin Civik, që ashtë zadhanësi i kombit”. Klerikë katolikë luejnë nji rol vendimtar në udhëheqje të Forumit. Po atë mbramje, TV njoftoi se e gjithë Byroja Politike dhe sekretariati i Komitetit Qendror kanë dhanë dorëheqje.

Në nji takim të “Forumit Civik” kërkohet legalizimi i grupeve politike, lirimi i të gjithë të burgosunëve politikë, planifikimi për bisedime të mavonëshme, fund i rolit udhëheqës të “Partisë”. Nga populli kërkohen zgjedhje të lira. Çekët kërkojnë ”nji vend normal në qendër të Europës”. Shpallet greva e përgjithëshme.

Greva u tregue nji sukses i madh. “Forumi” përcakton objektivin politik: hapje definitive e shoqënisë çeke për zhvillimin e pluralizmit politik, dhe zgjedhjet e lira. Kërkohet nji qeveri e koalicionit, e përbame me ekspertë, elemente kompetente dhe me integritet moral.

Në nji takim me qeverinë premtohet se qeveria e re do të formohet më 3 dhjetor 1990, do të eliminohet roli udhëheqës i “Partisë”, dhe fryma Marksiste-Leniniste në arsim. “Forumi” furnizohet me lokalet e përshtatëshme.

Ministrat e Mbrendshëm dhe Mbrojtjes janë civilë jo-komunistë. Të gjithë akademistët e përjashtuem për arsye politike kthehen në detyrë. Forumi deklaron:“njizetë vjet jemi trajtue si kriminelë. Sot, na kërkojmë me ringjallë vlerat çeke: sjellje njerëzore, tolerance, pa urrejtje dhe pa hakmarrje!”. Sens i naltë i historisë çeke!

TV lajmëron përfundimin me sukses të takimit Bush-Gorbachev në ishullin Malta dhe takimin Gorbachev me vendet e Traktatit të Varshavës, në Moskë, si dhe nji tjetër me udhëheqsit komunistë  çekë. Për Botën, ashtë kërcimi nga Yalta në Malta, nga ndërhymja ushtarake (doktrina Brezhnjev) te zgjedhjet e lira në Europën Lindore (fryma Gorbachev).

Menjiherë, Presidenti çek Husak instalon qeverinë e re, dhe në mbramje jep dorëheqjen. Qeveria e re ka kryeministrin komunist dhe 12 ministra jo-komunistë. Kumbonet e kishave tingëllojnë në të gjithë vendin.

Më 28 dhjetor 1989, Vaclav Havel zgjidhet President i Çekosllovakisë. Dubcek, ish-kryeministër në 1968, zgjidhet kryetar i Parlamentit. Forca e tretë ashtë Kardinali Tomaçek. Çekosllovakia ish-komuniste, në qendër të Europës, lindi përsëri si nji shtet i lirë, modern e demokratik. /panorama.com.al