Qytetërimi Iliro – Arbnor – Shqiptar përballet prej gati 1400 vitesh me...

Qytetërimi Iliro – Arbnor – Shqiptar përballet prej gati 1400 vitesh me orientin barbar! (Pjesa I-rë)

30
0
SHPËRNDAJE

Nga Gjet Ndoji

Procesi i shkatërrimit dhe i asimilimit të Qytetërimit Iliro- Arbnor- Shqiptar është një proces i nisur të paktën që para 1400 vitesh nga invadimet barbare sllave, turko aziatike etj, dhe vazhdon duke mos ndalur edhe në ditët tona. Gjatë gjithë kësaj historie janë lehtësisht të evidentueshëm shkatërrimi i qyteteve kalave antike ilire, kështjellave mesjetare, kishave, kullave, dërtesave antike, nga ana tjetër ndërtimi i objekteve të banimit dhe ato të kultit me frymë, me funksion dhe stil tjetër. Ky proces shkatërrues i trashëgimisë materiale e shpirtërore ka kaluar në disa faza, i orientuar në disa drejtime, të cilat në mënyrë të përgjithshme dhe shumë të përmbledhur janë:

I- Faza e sundimit bizantin

Veçanërisht nga shekulli VII deri ne shek XIII (periudha e shthurjes dhe e kalbëzimit te Perandorisë Bizantine), përkon me dyndjet sllavo- bullgare në fillim dhe me vonë me dyndjet e sllavëve të jugut (serbët, malazezët, kroatët etj). Që në fillim fisnikëria bizantine ndoqi politikë toleruese ndaj invazionit barbaro sllav duke lejuar edhe në trojet e Ilirisë, veçanërisht në luginat e sipërme dhe të mesme të lumenjve: Vjosë (deri në bregdet), Osum e Devoll, Shkumbin, më pak ne Mat, Drin etj. Gjurmët e këtij invazioni kanë ardhur deri në ditët tona dhe mund të idendifikohen nëpërmjet toponimeve sllave të këtyre trevave, si p.sh: Bilisht, Bozhgrad, Pogradec, Selcë, Pustec, Opar, Skrapar, Gradec, Çorovodë, Bogovë, Poliçan, Mezhgoran, Kuçovë, Belgrad (Berati), Selenice, Novosejë, Gramsh, Librazhd, Gollobordë, Junik, Domozdovë, Pishkash, Vajkal, Bozhiq, Bushkash, Stojan, Zerqan, Gjoricë, Skavice, Shishtavec, Novosele, Koritnik, Tetovë, Kërçovë, Kumanovë, Zapod, Deçan, Kosovë, Podgoricë, Vladimir, etj.

Për më shumë se 5 shekuj (nga shek VII deri në fund të shek. XII), barbarët sllavë jo vetëm u ngulen në territoret iliro-arbnore duke trysnuar dhe zhvendosur jo rrallë banorët që jetonin në trojet e tyre etnike, por ndikuan drejtpërdrejtë në shkatërrimin e strukturave ndërtimore, duke rrënuar e shkatërruar kështjella e kala, madje dhe qytete të tera antike Ilire. Ndërtimet e shtëpive dhe e fshatrave të shumta u bënë duke prishur e zhdukur ndërtimet antike. Kështu u rrënuan qytetet antike të Xibrit, të Pelionit (Selcë e Poshtme), Dimali, Bylysi, Antipatrea, Amantia, Butrinti, Foinike, Adrianopol, Orikumi, Apolonia, pjesërisht Dyrrahu, Teranda, Ulpjana, Nishi, Uskana, pjesërisht Drivasti, etj. Në tërësinë e tij ishte një proces që pothuajse shkatërroi qytetet dhe kalatë ilire, bashke me to trashëgiminë më të rëndësishme dhe shume evidente të Qytetërimit Ilir.

II-Faza e Lindjes dhe lulëzimit të Principatave Arbnore Mesjetare (shek. XII- XV)

Përgjatë rreth tre shekujsh, lindën dhe u zhvilluan principatat Arbnore si: Principata e Arbërit, Balshajve, Blinishtët, Spanët, Dukagjinët, Kastriotët, Topiajt, Gropajt, Shpatajt e Zenebishët, Muzaka, Aranitët etj. Nëse shtresa më në thellësi e THEMELEVE TE BOTES ILIRO- ARBNORE- SHQIPTARE i përket periudhës nga Shek XII para Kr. deri ne shek. V mbas Kr. (Kultura Pellazgo- Ilire), periudha nga shek XII deri në shek. XV është koha e shtresës së dytë të madhe (kultura e Arbrit) e vendosur dhe e lidhur mirë me shtresën e parë të të njëjtit themel. Mbi këto themele tipikisht pjesë e Qytetërimit Europian, gjatë shekujve XII-XV nisi të ndërtohej “NGREHINA JONË”, këtu ne brigjet perëndimore te Gadishullit Ilirik (në kohen e pushtimit Osman e mori emrin Ballkan). Procesi i ndërtimit të kësaj “Ngrehine” përfshin procesin e shtetëformimit (Principatat Arbnore Mesjetare) dhe bashkë me të merr formë Fisnikëria e vendit, ndërtohen Kështjella e qendra banimi. Rriten si asnjëherë më parë (që në periudhën Iliro- Romake), shkëmbimet ekonomike- tregtare, politike, diplomatike, kulturore etj, me Republikën e Venedikut, Raguzës, Mbretërinë e Napolit, Vatikanin, dhe nëpërmjet tyre Arbëria lidhej me Europën. Në këtë kohë të “artë” Fisnikëria Arbnore luante rol shumë aktiv në rritjen e këtij komunikimi te gjithanshëm mes Perëndimit e Lindjes Europiane, deri në Rumani, “Bizantin e mbetur” e deri në Rusinë Jugore. Për nga niveli social-politik ekonomik e ushtarak kjo fisnikëri nuk ngelte mbrapa fisnikërisë europiane.

Kisha dhe feja e krishterë, si kudo në Europën Mesjetare, fillojnë të luajnë një rol përcaktues në jetën politike, shtetërore e diplomatike, sociale, kulturore e qytetërimore të Botës Arbënore Mesjetare, të paktën që nga shekulli XII deri në fundin e shekullin XV. Pikërisht gjatë kësaj periudhe ndërtohen kishat kryesore në të gjithë trojet etnike të arbëreshëve, nga Tivari në (Veri) në Prevezë në (jug) e nga Shkupi në (lindje) në Durrësi (perëndim).

III- Në periudhë e sundimit Osman (nga fundi shek XV deri ne v. 1912), u vendos regjimi Feudal Ushtarak, me fryme e ideologji Arabo- Aziatike. Kjo është periudha e procesit të deeuropianizimit të Botës Arbnore Shqiptare dhe e ndërprerjes së marrëdhënieve politike, ekonomike, shoqërore e kulturore me Europën ku ndodhen disa fenomene me pasoja shkatërruese si:

1-Genocidi masiv gjatë periudhës së “okupimit të rreptë” që zgjati rreth 70 vite (nga viti 1479 deri në vitin 1550). Gjate kësaj kohe u shtyp me zjarr e me hekur rezistenca për liri e arbëreshëve, duke shkaktuar vrasjen e dhjetëra mijërave vetë.

2-Për shkak të shfarosjes masive të popullsisë u provokua një eksod masiv duke përfshirë në radhe të parë aristokracinë arbnore dhe intelektuale e klerikë të ndritur, drejt Napolit, Dalmacisë, Venedikut, Padovës, deri në Spanjë, France, etj. Kjo dyndje biblike e arbëresheve bashkë me elitën e tyre krijoj boshllëk të pazëvendësueshëm, ndërsa në vendet ku mbërritën ata shkëlqyen duke dhënë mësim në universitetet më të famshme të Europës, duke spikatur në drejtim të fushatave luftarake, në art, etj.

3- Pas kësaj zbrazje të Arbërisë nga popullsia e saj, Perandoria u kujdes për “mbushjen” me kolonë që vinin nga Persia, Anadolli, (Konja), Egjipti, etj. Vendosja e kolonëve; zejtarë, ushtarakë, administratorë dhe e familjeve të tyre, duke sjellë njeherazi dhe kulturën e zakonin islamo -aziatik, ndodhi kryesisht në disa qendra politiko- administrative si: në Gjinokastër, Janinë, Berat, Elbasan, Kavajë, Tirane, Krujë, Shkoder, Prizren, Shkup, Gjakove, Manastir etj.

4-Reforma e Timarit në hapësirën tonë europiane, vulosi ne pjesën më të madhe në trojet etnike Arbënore-Shqiptare sundimin osman me karakter feudal-ushtarak. Kjo reforme kishte dy ane të medaljes:

A- Procesi i osmanizmit, i cili nënkuptonte dhënien e pronave dhe të ofiqeve të tjera personave e familjeve në bazë të kontributit në fushatat ushtarake e pushtuese të Perandorisë Osmane. Ky proces solli për krijimin e aristokracisë së re osmane (timarlitë, pashallarët dhe feudalë të tjerë më të vegjël), në vend të aristokracisë arbnore që tashmë nuk ekzistonte në Ballkanin Perëndimor.

B- Procesi i islamizimit synonte konvertimin e fesë nga e krishterë në muhamedane. Kjo realizohej duke përdor të gjitha format dhe mjetet. Në fillim feja islame depërtoi bashke me kolonët, ndërsa më vonë, deri ne shekullin e XX, ndodhi procesi i islamizimit të popullsisë tonë europiane të krishterë. Gjatë këtij procesi, në shekullin XVI e në vazhdim ndeshim në fenomenin e ndërtimit te xhamive (kryesisht në qytete). Gjithsesi mbeten disa treva të krishtera si: Kelmendi, Malësia e Madhe, Rrethinat e Gjakovës, Deçanit, Pejës, Klinës, Vitisë, Dukagjini, 7 Bajrakët e Pukës (Iballës), Kelmendi, Tivari, Mirdita, Lura, Zadrima, Kurbini, Ishmi, Shpati, Himara e Suli, Zagoria e Lunxhëria, etj.

5- Bashkë me procesin e osmanizmit dhe të islamizimit të vendit ndodhi procesi i ndërtimit të objekteve muhamedane të kultit (xhamive dhe të teqeve). Nga ana tjetër, u shkatërruan e u dogjën qindra kisha, ndërsa pjesa më e madhe duke humbur përdorimin për rrjedhojë dhe përkujdesje në ndaj tyre, degraduan dhe u rrënuan gradualisht. Kjo situate katastrofike e shkatërrimit barbar të institucioneve kishtare (katolike dhe më pak ortodokse), vihet re në të gjithë trevat shqiptare të islamizuara dhe është qartësisht e shprehur kudo, pranë varrezave të vjetra (rrënoja të kishave, si dhe nga toponimet e kishave), që janë me qindra e mijëra në këto hapësira, më tepër në Shqipërinë e Mesme, në Veri dhe Dardani (Kosovë e Maqedoni), por dhe në Jug kudo. Përveç shkatërrimit të kishave katolike për shkak të pushtimit osman, një fenomen shkatërrues i tyre kishte ndodhur dhe për shkak të trysnisë dhe invadimit sllavo-bizantin, veçanërisht në Deçan, Pejë, Gjakovë, Prizren, Maqedoninë Perendimore, Mal të Zi dhe më pak në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, në hapësirat etnike arbnore në Greqi etj. Është i vërtetuar shkatërrimi i kishave katolike dhe ndërtimi në ato themele i kishave ortodokse (në kohë të ndryshme historike).

Vijon në pjesën e dytë